Protestë për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës

Një organizatë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara po mban në Nju Jork një tubim përpara ndërtesës së Kombeve të Bashkuara, për t’i kërkuar qeverisë së Beogradit që t’i jape fund asaj që organizata e quan shtypje dhe diskriminim të shqiptarëve në Serbinë jugore.

Në një deklaratë, organizata thotë se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës.

Organizata i referohet heqjes nga qendra e Preshevës të një përmendoreje të ngritur në përkujtim të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Në deklaratë thuhet se qeveria e Serbisë përdori forcën duke e hequr përmendoren, në vend që të ndërtonte ura me komunitetin shqiptar të Luginës.

Sjellja e qeverisë serbe, thuhet në deklaratë, nuk ka vend në Evropë, sidomos tani që Serbia pret datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Protestuesit bëjnë thirrje në deklaratën e tyre që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në veri të Kosovës dhe që përmendorja të kthehet aty ku ishte vendosur.