Pakistan: Përleshje në Karaçi mes protestuesve dhe policisë

Qindra pakistanezë, duke protestuar kundër filmit kundër Islamit të realizuar në Shtetet e Bashkuara, u përleshën me policinë ndërkohë që përpiqeshin të marshonin drejt konsullatës amerikane në qytetin jugor të Karaçit.

Policia përdori sot gaz lotsjellës dhe pompa uji kundër demonstruesve, ndërsa ata i afroheshin konsullatës së ruajtur me masa të rrepta sigurie.

Shefi i policisë së Karaçit, Ikbal Mehmood, tha se gjatë përleshjeve ishin plagosur tetë persona. Protesta u organizua nga një grup fetar myslimanësh shiitë.

Ndërkohë, në qytetin Lahore të Pakistanit, rreth 5 mijë njerëz protestuan kundër filmit. Demonstrata paqësore u mbajtën në disa qytete të tjera në Pakistan, ku protestat ishin në përgjithësi të vogla në krahasim me ato gjatë trazirave të ditëve të fundit.

Edhe pse intensiteti i demonstratave në vendet e tjera myslimane është ulur, incidentet kanë vazhduar. Një grup i vogël aktivistësh dogjën sot një flamur amerikan jashtë ambasadës amerikane në kryeqytetin turk, Ankara.

Ambasadat perëndimore në të gjithë vendet myslimane vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri të lartë.