Disa qindra të rinj shqiptarë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme të Gostivarit, kanë protestuar sot qetësisht në shenjë dënimi të aktit të djeshëm në qytetin e tyre, ku një polic vrau dy shqiptarë për shkaqe banale. Protestuesit kërkuan drejtësi, por nuk munguan as parullat dhe brohoritjet me përmbajtje nacionaliste si “Ilirida” apo “Shqipëria etnike”!
Ndërkohë, Komuna e Gostivarit thotë se akti është pasojë e politikave nacionaliste të qeverisë, të manifestuara përmes ofendimeve kundër shqiptarëve në terrenet sportive.
“Fakti që vrasja është bërë nga një efektiv i policisë të cilit i është besuar mbrojtja e kufijve shtetërorë, shton shqetësimin e qytetarëve të komunës se në strukturat e rendit zënë vend edhe kriminelë me paragjykime nacionaliste”, thuhet në një komunikatë të nënshkruar nga prefekti Rufi Osmani.
Ambasadori amerikan në Shkup Paul Wohlers i pyetur nga mjetet e informimit rreth ngjarjeve në Gostivar, theksoi nevojën për respektimin e ligjit dhe zbardhjen deri në fund të rastit. Ai tha se duhet të mbizotërojë sundimi i ligjit dhe të ketë një proces normal hetimor.
Shotatat joqeveritare shqiptare “Zgjohu” dhe “ADI” kanë reaguar duke e cilësuar vrasjen si një akt të paramenduar. Ato kanë bërë thirrje për të mos rënë pre e provokimeve, ndërsa nga institucionet përkatëse kërkojnë që të dëshmojnë profesionalizëm dhe asnjanësi për të vënë në vend drejtësinë.
Qindra njerëz morën pjesë sot në varrimin e viktimave Besnik Shehapi dhe Imran Mehmeti.
Gostivari është shquar për marrëdhëniet korrekte ndëretnike në të kaluarën. Madje as ngjarjet e njohura të vitit ’97 kur policia vrau tre shqiptarë dhe plagosi shumë të tjerë që kishin dalë në mbrojtje të flamurit kombëtar shqiptar, nuk rezultuan në prishjen e raporteve ndërmjet shqiptarëve, të cilët përbëjnë shumicën, dhe maqedonasve, që përbëjnë më pak se 20 për qind të popullatës së këtij qyteti.