Publikohen 45 orë me regjistrimet e fundit të Presidentit Xhon F. Kenedi

  • Zëri Amerikës

Publikohen 45 orë me regjistrimet e fundit të Presidentit Xhon F. Kenedi

Biblioteka dhe Muzeu i Presidentit Xhon Kenedi në Boston publikoi 45 orë me regjistrimet e fundit të Presidentit Xhon F. Kenedi në zyrën ovale, që deri dje ishin sekrete.

Në regjistrim përfshihet një bisedë që sot tingëllon e frikshme, mbi ditën kur në fakt u zhvillua funerali i tij. Duke ju drejtuar ekipit të punonjësve të Shtëpisë së Bardhë, që po planifikonin orarin e tij të takimeve, Presidenti Kenedi thotë se 25 nëntori i vitit 1963 do të ishte një ditë e vështirë për të, pas kthimit nga Teksasi dhe nga Kape Kodi, ku ai ishte në plan të qëndronte.

Në regjistrim zbulohen hollësi të panjohura më parë nga muajt e fundit të Presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, si diskutime mbi luftën në Vietnam, marrëdhëniet me sovjetikët, gara amerikano-sovjetike e hapësirës, planet për Konventën e Demokratëve të vitit 1964, stratgjia për rizgjedhjen e tij, si dhe momente private të Presidentit me fëmijët e tij.

Kasetat e publikuara janë të fundit ndër ato me 260 orë regjistrime të takimeve dhe bisedave private të Presidentit Kenedi para vrasjes së tij në Dallas më 22 nëntor të vitit 1963.