Putin: Do të "respektojmë" rezultatin e zgjedhjeve në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se Rusia do të "respektojë" rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Ukrainën fqinje.

Duke folur në Shën Peterburg, zoti Putin tha se qeveria e tij po punon me ata që janë në pushtet në Kiev dhe do të punojë me udhëheqjen e re që do të dalë nga zgjedhjet.

Por ai shtoi se shpreson që zgjedhjet të pasohen menjëherë nga pezullimi i të gjitha veprimeve ushtarake dhe fillimi i një “dialogu”.

Zoti Putin tha gjithashtu se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, që u vendosën pasi Rusia aneksoi Krimenë, po ndikojnë tek biznesi rus. Ai parashikoi se sanksionet do të kenë efektin e kundërt tek vendet që po i imponojnë ato.

Ai përmendi në mënyrë të veçantë sanksionet amerikane ndaj Rusisë, duke spekulluar se ato kanë si qëllim të sigurojnë një avantazh në konkurrencën me Rusinë për bizneset evropiane.