Qeveria shqiptare mban një minutë heshtje në nderim të kapitenit Feti Vogli

  • Armand Mero
    Tiranë

Qeveria shqiptare mban një minutë heshtje në nderim të kapitenit Feti Vogli

Në Shqipëri Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se nëntetari Aleksandër Peci, i cili mbeti i plagosur dy ditë më parë në Afganistan, ndërsa po merrte pjesë në një mision në zonën e Kandaharit, tani është jashtë rrezikut, ndërsa qeveria mbajti një minute heshtje në nderim të kapitenit Feti Vogli, i cili mbeti i vrarë.

Kapiten Feti Vogli, i cili ishte në misionin e tij të tretë jashtë vendit, u qëllua nga një grup policësh afganë në rrethana të cilat nuk janë bërë ende të qarta. Bashkë me të u plagos rëndë edhe nëntetari Aleksandër Peci, i cili sic njoftoi sot ministria e Mbrojtjes, pasi është transferuar në një tjetër spital në bazën ajrore amerikane në Kabul, i është nënshtruar një operacioni të dytë.
Ministria bëri të ditur se operacion ka dalë me sukses të plotë dhe aktualisht gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë. Ai tashmë ndodhet tërësisht jashtë rrezikut dhe funksionet e tij jetësore janë duke u kthyer në normalitet. Pasi gjendja shëndetësore të stabilizohet pritet që Peci të transferohet në Gjermani për trajtimin e mëtejshem shëndetësor.