Qyteti "Studenti" në pritje të vitit të ri akademik

Qyteti "Studenti" në pritje të vitit të ri akademik

Qyteti Studenti është në ditët e fundit të rregullimeve për të pritur studentët në vitin e ri akademik. Numri i përgjithshëm i banorëve në qytezën e mirënjohur është 6 mijë e 200 studentë, nga të cilët 1 mijë e 650 studentë janë të rinj në vitin e parë.

Drejtori i qytezës studentore, Bujar Brovina, thotë se çmimet sivjet nuk janë rritur; studentët paguajnë 40 mijë lekë në vit, që është më pak se 1 euro në ditë. Tashmë aty është bërë traditë që raporti i banorëve të jetë 7 vajza dhe 3 djem. Kjo ndodh sepse zona është me një siguri të lartë, falë mbrojtjes të posaçme nga një postë policore dhe kushtet e jetesës po përmirësohen. Drejtori Brovina thotë se të gjitha pagesat e studentëve investohen përsëri aty për të përmirësuar kushtet e jetesës. Sivjet janë duke u ndërruar pothuaj të gjithë shtrojet e Qytetit Studenti.

“Pagesat e studentëve ne përsëri i bëjmë investim. Për herë të parë mbi 80 për qind të shtretërëve dhe dyshekëve po ndërrohen. Kjo punë po vazhdon deri tek etazherët, komodinat, sidomos në godinat e vajzave. Deri në 10 shtator Qyteti Studenti është i gatshëm për akomodimin e studentëve.”

Sipas drejtorit Brovina, qyteti po braktis dita ditës kushtet e vështira të higjenës kolektive dhe përherë e më tepër po investohet në krijimin e kushteve për higjenë individuale.

“Për herë të parë në të gjitha dhomat do të ketë lavaman brenda. Edhe këtë vit do të strehohen jo më shumë se 3 vetë në një dhomë. Këtu ka edhe internet falas, dhe salla komode studimi në çdo godinë”

Ky vit është hera e parë që Qyteti Studenti shpreson shumë tek mbështetja e bashkisë së Tiranës. Drejtori Brovina thotë se buxheti i Qytetit Studenti nuk mjafton për pastrim dhe rrugë të reja, që janë detyrë e bashkisë së madhe. Asnjëherë më parë bashkia nuk ka investuar në këtë fushë, thotë ai, por sivjet ka gjetur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e menjëhershëm të kryetarit të ri të bashkisë Lulëzim Basha.

“Bashkëpunimi me bashkinë do të jetë i ngushtë tani që ka ardhur kryetari i ri Lulëzim Basha. Kjo është e domosdoshme, sepse ka vite që në Qytetin Studenti nuk është vënë dorë nga bashkia e madhe. Ka vite që bashkia nuk na ka bërë një rrugë, ka vite që qyteza vetpastrohej me fondet e saj, ndërkohë që këto janë detyrë e bashkisë. Tani kemi gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe presim nga kryetari i ri pjesën e ndihmës që na takon; pastrim dhe rrugë të reja. Sepe bashkia e mëparshme këtu nuk ka mbjellë asnjë pemë, por shpresoj dhe kam besim që kryetari do t’i zgjidhi këto probleme” .

Qyteti Studenti është një sipërmarrje me vetëfinancim, por në gjysmën e buxhetit subvencionohet nga qeveria për pagesat e energjisë, ujit, dhe pagat e punonjësve. Kushtet e jetesës janë optimale, ndërsa donatorët vendas dhe të huaj janë gjithnjë të nevojshëm për të mbështetur investime të reja.