Kryeministri spanjoll, thirrje për formimin e parlamentit katalonjas në janar

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy bëri thirrje për formimin e parlamentit të Katalonjës më 17 janar, hapi i parë në rivendosjen e një qeverie lokale që kaloi nën kontrollin e Madridit pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë në muajin tetor.

Pas formimit të parlamentit, ligjvënësit duhet të paraqesin kandidatë për të udhëhequr qeverinë rajonale, që duhet t’i nënshtrohet më pas një procesi votëbesimi.

Partitë separatiste siguruan një shumicë të brishtë në zgjedhjet e 21 dhjetorit dhe pritet që ato të ndeshen me vështirësi në formimin e qeverisë së re, në një kohë kur shumë nga udhëheqësit e tyre përballen me procese gjyqësore lidhur me rolin e tyre në lëvizjen për pavarësinë apo ndodhen në mërgim të vetëshpallur.