Kryeministri në OKB: Vizioni për Shqipërinë

Në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po vazhdon sesionin e 68-të, ku po marrin pjesë udhëheqës nga mbarë bota. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu drejtua asamblesë para disa orësh. Kryeministri shqiptar u ndal tek imazhi i vendit të tij dhe problemet kryesore si korrupsioni. Ai tha se kjo ndikon tek investimet dhe përparimet e vendit të tij.

Korrupsioni mund dhe duhet të mundet nëse ne kërkojmë të ndërtojmë ekonominë dhe sundimin e ligjit për të cilat kemi nevojë, për investimet dhe nxitjen e turizmit. Zoti Rama shprehu angazhimin në luftën kundër korrupsionit.Kryeministri shqiptar u ndal po ashtu edhe tek aspiratat e vendit të tij drejt Bashkimit Evropian.

Zoti Rama shprehu bindjen se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ka shënuar fillimin e një epokë të re në rajon. Dialogu Prishtinë-Beograd është një akt kuraje dhe mençurie si nga Kosova dhe Serbia dhe sfidon vendet e rajonit për të mobilizuar përpjekjet për mënyra të reja bashkëpunimi që i sherbejnë ripërtëritjes ekonomike të Ballkanit drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.

Zoti Rama shprehu angazhimin e vendit të tij për paqen dhe begatinë në rajon. Zoti Rama u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin atë. Vizioni im për Shqipërinë, përfundoi zoti Rama, është po ashtu një vizion bashkëpunimi në Ballkan, duke sfiduar të kaluarën historike të luftrave dhe konflikteve.