Ravens fiton kampionatin e futbollit amerikan

Ekipi Ravens i Baltimorës është kampion i Ligës Kombëtare të Futbollit amerikan, duke fituar mbrëmë me rezultatin 34-31 kundër ekipit 49ers të San Franciskos në një lojë që u shoqërua me shumë të papritura, mes tyre edhe ikjen e dritave në stadium per rreth gjysmë ore.

Finalja e futbollit amerikan ishte plot ngjashmëri nga të dy ekipet, por ishte edhe një ndeshje mes dy familjeve. Për herë të parë në ndeshjet finale të 4 ligave të mëdha profesionale në Shtetet e Bashkuara, atë të futbollit, bejsbollit, basketbollit dhe hokeit në akull, dy vëllezër ishin përballë njeri tjetrit në një ndeshje kampionati. John Harbaugh i ekipit të Baltimorës dhe vëllai i tij i vogël Jim Harbaugh i San Francisco janë trajnerët e dy ekipeve finaliste dhe konsiderohen si më të mirët në këtë sport.

Në përfundim të pjesës së parë ekipi i Baltimorës kryesonte thellë me rezultatin 21 me 6. Sportdashësit, veçanërisht tifozët e Ravens, si në stadium edhe ata që e ndiqnin ndeshjen në televizor, ndjeheshin mirë rreth shanseve për fitore, ndërsa këngëtarja e famshme Beyonce elektrizoi të pranishmit në pushimin e ndeshjes.

Pjesa e dytë u hap me një rekord, kur lojtari Jacoby Jones shënoi duke përshkruar gjithë fushën, rreth 100 metra, për 11 sekonda, pasi priti topin e gjuajtur nga ekipi kundërshtar dhe duke shtuar edhe më shumë besimin e fitores. Por ky entuzizëm i madh u pasua me njëherë me një të papritur jo të zakontë. U fikën dritat dhe u deshën gati 35 minuta që stadium të ndriçohej përsëri plotësisht dhe që të vazhdonte ndeshja.

Sipas komentatorëve sportivë, kjo e ndihmoi ekipin e San Franciskos, pasi ekipi Ravens e humbi deri diku hovin që kishte treguar në pjesën e parë të ndeshjes. Dhe deri në 2 minutat e fund të lojës rezultati nuk ishte aspak i sigurtë. Pas rikthimti të rrymës, ekipi 49ers shënoi 17 pikë dhe e ngushtoi rezultatin në 28-23, madje në 15 minutëshin e fundit të ndeshjes, 49ers iu afruan ekipit të Baltimorës me rezultatin 31-29.

Gjatë gjithë ndeshjes Ravens e ruajtën avantazhin. Një gjuajtje topi prej 3 pikësh dhe mbrojtja e fortë e ekipit Ravens në 2 minutat e fundit të lojës bënë që ekipi i Baltimorës të bllokonte fitoren e San Franciskon, që do të kishte qënë përmbysja më e madhe e rezultatit në historinë e ndeshjeve finale të futbollit amerikan. Joe Flacco, organizatori, ose pasuesi i ekipit Ravens, i u shpall si lojtari më i mirë i finales.

“Është e pabesueshme. Një grup i mrekullueshëm lojtarësh dhe një mënyrë e mrekullueshme për të fituar. Jam më se i bindur se shumë sportdashës dhe tifozë ishin nervozë nëse do të ruanim fitoren deri në fund. Ekipi i Sann Franciskos luajti një ndeshje të fortë, por ne na u desh të mobilizoheshim deri në fund që të siguronim fitoren. Është një ndjenjë shumë e mirë”.

Dje ishte edhe ndeshja e fundit për lojtarin legjendar të ekipëuit Ravens Ray Lewis, i cili ishte pjesë e këtij ekipi edhe në vitin 2001, kur ata fituan për herë të parë kampionatin.
Humbja e ekipit të San Franciskos mbrëmë ishte e para në 6 ndeshje që ka dalë në finale, ndërkohë që Ravens të Baltimorës i kanë fituar të dy herët që kanë dalë në finale.

Rreth 100 milion njerëz në gjithë botën ndoqën mbërmë ndeshjen finale të Ligës Kombëtare të Futbollit amerikan.