Reforma në Drejtësi, Nishani kritika të ashpra

Presidenti: Procesi po zhvillohet në mungesë të plotë trasparence. Reforma të mos përdoret si instrument për orekset politike. Reagon kryetari i Komisionit të Posacëm parlamentar, socialisti Fatmir Xhafaj

Në Shqipëri Presidenti Bujar Nishani është shprehur me tone tejet kritike rreth procesit të reformës në sistemin e Drejtësisë. Përmes një letre dërguar Komisionit të Posacëm parlamentar ai përdor një gjuhë të ashpër ndaj mënyrës se si është vepruar, që me lënien jashtë konsultimeve të institucionit të Presidencës së Republikës, deri edhe për përmbajtjen e dokumentave të prodhuar nga ky komision. Por kryetari i këtij komisioni, deputeti socialist Fatmri Xhafaj, duke folur mbrëmë në emisionin “Top Shoë” në Top Channel, hodhi poshtë kritikat e presidentit duke shprehur “keqardhje për gjuhën e përdorur prej tij”.

Në letrën e tij, zoti Nishani vlerëson se “procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë. Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj”, shkruan ai.

Presidenti shpreh shqetësim për faktin se Komisioni në kundërshtim dhe me vendimet dhe angazhimet e marra prej tij ka anashkaluar në këtë proces, institucionin e Presidentit të Republikës. “Asnjë nga tryezat e organizuara deri më sot nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, duke reflektuar mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion. Presidenti i Republikës është ftuar të marrë pjesë në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara”, shkruhet në letër.

Pas një periudhe 7 mujore, ku u angazhuan ekspertë të huaj dhe vendas komisioni i posacëm parlamentar, publikoi në pranverën e shkuar, një dokument voluminoz ku i bëhej një analizë e hollësishme gjendjes së sistemit të Drejtësisë. Ky dokument ju nënshtrua konsultave publike në qendrat universitare në qytete të ndryshme të vendit. Por sipas Presidentit Nishani, këto forume “nuk kanë siguruar një pjesëmarrje dhe aq më tepër konsultim të gjerë. Pjesëmarrja është siguruar përmes thirrjes nominale të personave të caktuar, në mungesë të plotë të njoftimeve publike për të interesuarit. Shmangia e qëllimtë e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe e aktorëve të tjerë me peshë e integritet nga bota akademike dhe shoqëria civile, dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij”.

Presidenti është kritik edhe lidhur me përmbajtjen e dokumentave të prodhuara nga Komisioni i Posacëm parlamentar. “Raporti Analitik për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, nuk reflekton shumësinë e informacioneve dhe analizës së përcjellë nga aktorët e tjerë të përfshirë qoftë edhe formalisht në proces, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE, (si për shembull rasti I Ukrainës)”, shkruan zoti Nishani duke theksuar se “reforma në drejtësi duhet të jetë një proces që t’i shërbejë në radhë të parë dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë dhe të mos përdoret si një instrument për të përmbushur aspiratat individuale apo orekset politike”.

I ftuar mbrëmë në televizioin Top Channel, kryetari i Komisionit të Posacëm Parlamentar Fatmir Xhafaj deklaroi se “ jam i keqardhur me gjuhën që përdor Presidenti, me qasjen që ka gjetur, me mënyrën se si i është drejtuar komisionit të posaçëm”. Sipas tij, Kreu i shtetit po mban pozicione politike, “por fakti që ai është në institucionin e Presidentit të Republikës dhe përgjegjësia e tij kushtetuese mbi palët, duhet ta bënte Presidentin më të kujdesshëm në këtë artikulim publik. Presidenti i Republikës thotë se është një paraqitje e deformuar, por kush e ka fajin tani pasqyra apo realiteti? Këtë realitet të deformuar, vetëm po e zbukurove se nuk ke çfarë t'i deformosh më shumë se sa është i deformuar. Presidenti thotë që kjo është e njëanshme dhe këtu ka parasysh që nuk është opozita, por ajo vetëm dy muaj ka që ka ardhur. Nuk është faji jonë që i qëndroi larg procesit”, u shpreh zoti Xhafaj.