Shpallja fajtor nga gjykata e policit që vrau George Floyd-in erdhi disa muaj pas demonstratave në rrugë dhe thirrjeve për llogaridhënie më të madhe të policisë. Reformimi i policisë ka hasur në vështirësi në Kongres dhe shumë njerëz mendojnë se nuk do të thellohet mjaftueshëm.
Përpara se të fillonte gjyqi i ish-policit të Mineapolisit Derek Chauvin, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Ligjin “George Flloyd për Drejtësi në Policim”. Tani i mbetet Senatit të veprojë.
“Nuk duhet të gabohemi duke menduar se shpallja fajtor në këtë çështje është evidencë se është zgjidhur problemi i vazhdueshëm i shkeljeve nga policia ose se është plotësuar hendeku mes strukturave të zbatimit të ligjit dhe komuniteteve që u shërbejnë. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Senatori Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës.
Senatori Schumer dhe ligjvënës të tjerë demokratë bëjnë thirrje për ndryshimin e politikave për policinë, si heqja e imunitetit për shkak të detyrës dhe krijimi i një regjistri të oficerëve të policisë dhe të ankesave ndaj tyre.
Më i tërhequr, Senatori republikan Rick Scott, një mbështetës aktiv i strukturave të zbatimit të ligjit, bëri thirrje për më shumë llogaridhënie.
“Mendoj se duhet filluar me më shumë transparencë. Siç veproja kur isha guvernator. Ulesh me zbatuesit e ligjit dhe u thua ‘Çfarë mund të bëjmë më mirë? Përse disa oficerë janë më mirë, apo disa departamente janë më mirë se të tjerët?’. Nuk duhet thënë se të gjithë po veprojnë gabim dhe të krijohet kështu një shtysë që njerëzit të mos bëjnë punën e tyre”, tha Senatori Scott.
Greg Carr është kryetar i Studimeve Afrikano-Amerikane në Universitetin Howard në Uashington. Ai bën thirrje për një transformim të plotë të policisë në Shtetet e Bashkuara.
“Shohim, për shembull, se çfarë ndodhi gjatë gjyqit për vrasjen e Floyd-it, ndërkohë që një person tjetër në zonën e Minneapolisit u vra nga një oficere policie; ajo oficere dha dorëheqjen. Tani shtrohet pyetja, nëse ata duan, a mund të paraqiten në një tjetër departament policie për një punë të re? Pra, kjo bazë të dhënash do të hiqte të paktën nga departamentet lokale të policisë justifikimin se ‘nuk e dinim, nuk e kontrolluam’. Kështu që mendoj se po rritet nevoja për ta ribërë policinë. Ne nuk po flasim për reformë. Po flasim për ribërjen e policisë”, thotë zoti Carr.
Sindikatat e policisë i kanë rezistuar krijimit të një baze të dhënash kombëtare dhe përpjekjeve të tjera reformuese në mbështetje të anëtarëve të tyre. Shefi i Policisë së Detroitit, James Craig, thotë se zbatimi i ligjit ka nevojë për mbështetjen e komunitetit dhe se morali është tashmë i ulët.
"Kur flitet për heqje fondesh, dhe nuk flitet në emër të burrave dhe grave që janë duke bërë punën si duhet, dhe askush në një post me ndikim nuk ngrihet me guxim të denoncojë retorikën, atëherë ata policë nuk ndiejnë mbështetje. Dhe kështu, njerëzit largohen. Do ta kemi të vështirë për të punësuar një grup të ri oficerësh për të mbushur boshllëkun", thotë zoti Craig.
Tani për tani, megjithatë, legjislacioni për reformën është bllokuar në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë për shkak të kundërshtimit të republikanëve. Dënimi për oficerin Chauvin, i cili po mbahet në një burg të sigurisë maksimale pranë Minneapolisit, do të jepet në muajin qershor.