Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID po mbështet prej 8 vjetësh një projekt të tele-mjekësisë në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ideuesi dhe drejtuesi i këtij projekti, dr.Rifat Latifi, thotë se tashmë, që rrjeti i telemjekësisë u shtri në të gjithë territorin, është koha që shëndetësia shqiptare të përfitojë sa më shumë prej saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Telemjekësia në Shqipëri po nis një etapë të re zhvillimi pas 8 vjetë shtrirje në të gjithë territorin e vendit.
Projekti mbi shëndetin elektronik dhe telemjekësinë po financohet për një kohë të gjatë nga agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar USAID, departamenti amerikan i shtetit, dhe nga qendra e telemjekësisë e ushtrisë amerikane.
Ky projekt po sjell përfitime të mëdha për mjekësinë shqiptare: ai po kursen cdo vit qindra udhëtime të pacientëve drejt kryeqytetit.
Dr. Rifat Latifi është ideuesi dhe drejtuesi i projektit të telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë.
Ai thotë se projekti është një sukses i plotë dhe vetëm në dy vitet e fundit janë mjekuar mbi 1 mijë e 300 pacientë në kushte klinike.
Përfitimi më i madh i telemjekësisë është diskutimi më i mirë mes doktorëve për sëmundjen e pacientit dhe mjekimi sa më i shpejtë i tij duke shkurtuar distanacat midis qyteteve dhe kohën e ndërhyrjes mjekësore.
Dr. Fatos Olldashi, nëj emër i njohur në fushën e neuro-kirurgjisë thotë se mjekësia shqiptare ka ende shumë mangësi, por plotësimi i këtyre mungesave po ecën njëkohësisht me përdorimin e teknologjive të reja.
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka ofruar rreth 70 për qind të telekonsultave në të gjithë fushat e shëndetësisë, ndërsa pjesa tjetër nga spitalet e tjera të Shqipërisë.
Krahas mjekimit të drejtpërdrejt të pacientëve rrejti i telemjekësisë ka zhvilluar më shumë se 500 takime për edukimin e punonjësve të mjekësisë me mbi 20 mijë pjesëmarrës; mjekë, infermierë, farmacistë, psikologë, studentë e sociologë.