Rowhani: Rezultati i zgjedhjeve, fitore mbi ekstremizmin

Presidenti i sapo-zgjedhur i Iranit Hasan Rowhani e cilësoi zgjedhjen e tij si një fitore mbi ekstremizmin, ndërkohë që mijëra përkrahës të tij festonin mbrëmë në rrugët e Teheranit.

Në deklaratën e tij të parë publike që nga votimet e së premtes, kleriku reformator e cilësoi zgjedhjen e tij një fitore të moderimit dhe inteligjencës mbi ekstremizmin.

Shumë analistë e konsiderojnë fitoren e paparashikuar të zotit Rowhani si një reagim popullor ndaj përfaqësuesve të vijës së ashpër që konkurruan në zgjedhje.

Presidenti i sapo-zgjedhur është zotuar të përmirësojë marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar, megjithëse Udhëheqësi Suprem Ajatollahu Ali Khamenei ka në dorë vendimin përfundimtar për të gjitha çështjet strategjike, përfshirë politikën bërthamore.