Sekretari i Jashtëm britanik anulon vizitën në Moskë

Ministri i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, anuloi sot planet për vizitë në Moskë, disa orë para se të nisej nga Londra, në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë shtuar.

Udhëheqësit rusë, të cilët e kanë cilësuar si akt të paligjshëm sulmin amerikan në kundërpërgjigje të përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Asadit në Siri, i acaruan akuzat të premten. Kryeministri rus Dmitri Medvedev paralajmëroi Amerikën se është “një hap larg përplasjes ushtarake me Rusinë”.

Në një demonstrim force, një fregatë ruse e pajisur me raketa kruz, njoftohet se është nisur drejt Mesdheut. Sipas medias shtetërore ruse, mjeti lundrues do të ankorojë në Tartus të Sirisë.

Rusia është zotuar gjithashtu të forcojë mbrojtjen ajrore siriane.

Sekretari i Jashtëm britanik Johnson e njoftoi anulimin e planeve për vizitë në Moskë përmes Twitterit, duke thënë se në këto momente përparësia e tij janë bisedimet me aleatët perëndimorë mbi Sirinë dhe mbështetjen ruse për Asadin.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse e cilësoi anulimin e vizitës si një sjellje absurde.

Ndërkaq, aktivistë sirianë njoftojnë se avionë luftarakë të qeverisë siriane goditën qytetin Khan Sheikhoun, të kontrolluar nga kryengritësit. Ky qytet ishte skenë e sulmit të kësaj jave me armë kimike nga regjimi sirian.

Besohet se avionët që kryen sulmin sot ishin ngritur nga bazae ushtrisë siriane, al-Shairat, e cila u godit së fundmi nga raketat amerikane.

Goditja amerikane me raketa Tomahawk kundër bazës së ushtrisë siriane të premten po sinjalizon një ndryshim në vendim-marrjen e administratës Trump si dhe një ripozicionim forcash në luftën e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.

Prej shumë muajsh koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po respektonte një balancë delikate, duke goditur grupet ekstremiste në Sirinë veriore, ndërsa ndiqte në mënyrë pasive bashkëpunimin e forcave siriane dhe njësive ajrore ruse në luftë kundër ISIS në vend.

Goditja amerikane e së premtes mund të mobilizojë një angazhim të ri kundër ISIS, thonë analistët; aktualisht po vërehet një ofensivë më e fortë e forcave kurde drejt jugut, ndërkohë që janë mobilizuar më intensivisht edhe njësitë turke grupe paraushtarake suni.

Por goditja e së premtes ka tronditur balancën delikate diplomatike me rusët. Moska ka pezulluar marrëveshjen e sigurisë së fluturimeve që synon të shmangë incidente mes forcave ajrore amerikane dhe ruse gjatë operacioneve në zonë.