Rusia e zemëruar me NATO-n

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov takohet sot me kreun e NATO-s pas njoftimit të Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të planit më të madh për shtimin e pranisë ushtarake në Evropë që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Rusia i ka quajtur këto lëvizje të NATO-s një kërcënim për stabilitetin në Evropë. Por, NATO thotë se zhvendosja e trupave dhe paisjeve synon të qetësojë vendet aleate të shqetësuara prej lëvizjeve të Rusisë.

Ushtria ruse u vendos në gjendje të lartë gatishmërie dhe bëri stërvitje të befasishme pranë Ukrainës, ndërkohë që ministrat e mbrojtjes të NATO-s mblidheshin në Bruksel.

Demonstrimi i muskujve nga Kremlini vjen ndërkohë që NATO ka njoftuar ndërmarrjen e hapave për zmbrapsjen e një agresioni rus në Balltik dhe Evropën Lindore.

“Ministrat e mbrojtjes të NATO-s ranë dakort për një prani të shtuar në pjesën lindore të territorit të aleancës. Këto forca do të jenë shumëkombëshe, për të treguar se një sulm i mundshëm ndaj njërit prej aleatëve është një sulm ndaj të gjithëve dhe që do marrë përgjigjen e të gjithë aleancës,” njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shtetet e Bashkuara do të katërfishojnë shpenzimet për mbrojtjen e Evropës dhe NATO do të shtojë rotacionin e trupave, rezervat e paisjeve ushtarake, si dhe do të krijojë një forcë të reagimit të shpejtë.

Ministria e Jashtme e Rusisë e quajti planin e NATO-s një projekt për të frenuar Rusinë dhe një kërcënim për Evropën.

“Nuk e kuptojmë se çfarë i shkaktoi këto veprime. Mendojmë se nuk kërcënojnë vetëm Rusinë, por edhe stabilitetin strategjik dhe sigurinë në Evropë,” tha Maria Zakharova, e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

NATO u vetëpërmbajt në reagimin ndaj Moskës pas aneksimit nga forcat ruse të Gadishullit të Krimesë, dhe mbështetjes për rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Pozicioni mbizotërues ushtarak i Rusisë ndaj vendeve fqinje i shtoi shqetësimet dhe tensionin.

“Mendoj se vetë zgjerimi i NATO-s është një sfidë gjeopolitike për Rusinë, pasi kjo do të thotë realisht një zgjerim i zonës së influencës së një aleance të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Rusët e quajnë një zonë sigurie, ndërsa të tjerët mund ta quajnë zonë mbrojtjeje,” mendon Dmitri Trenin, i Qendrës "Carnegie", në Moskë.

NATO gjithashtu mendon se sulmet e vazhdueshme ajrore të Rusisë në Siri për të mbështetur qeverinë siriane, janë duke dëmtuar bisedimet e paqes për këtë konflikt.

Rusia i refuzon këto akuza dhe përfaqësuesi i saj në NATO premtoi një përgjigje teknike dhe ushtarake ndaj rritjes së prezencës së Aleancës në Evropë.