E emëruara për ambasadore në OKB para senatit

E emëruara e Presidentit Obama për postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, thotë se përgjigja nga Këshilli i Sigurimit ndaj “masakrës në Siri”, është një turp që historia ka për ta gjykuar rreptë.

Gjatë seancës së konfirmimit të saj në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Samantha Power e cilësoi Sirinë si një nga rastet më të këqija të ushtrimit të brutalitetit masiv, që ajo ka parë ndonjëherë.

Ish-punonjësja e sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe eksperte për gjenocidin u zgjodh për të zëvendësuar zonjën Susan Rice, e cila u kritikua për rolin e saj në shpjegimin që i bëri administrata sulmit vdekjeprurës në misionin e Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë, ku shtatorin e kaluar mbetën të vrarë 4 amerikanë.

Zonja Power po ashtu i tha Komisionit të Senatit, se ajo sheh paragjykime dhe sulme të papranueshme ndaj shtetit të Izraelit në Kombet e Bashkuara dhe se pranon absurditetin në faktin që Irani shërben si drejtues i Konferencës së Çarmatimit të OKB-së. Zonja Power shihet si një person që gëzon mbështetje nga të dyja partitë në Washington dhe ajo pritet të miratohet me lehtësi nga Senati në këtë post.