Vazhdojnë përpjekjet për rimëkëmbje pas uraganit

Zonat në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për normalizimin e jetës pas stuhisë Sandy, megjithatë gjendja vazhdon të jetë e jashtëzakonshme.

Banorët që donin të shkonin në punë me makinat e tyre, u nisën herët në mëngjes. Metrotë dhe autobusat vazhdojnë të punojnë me orar të kufizuar. Për disa vetë, ishte një arritje edhe fakti që mundën të ndezin makinat.

Një nga vështirësitë më të mëdha është të arrish të gjesh karburant, me radhët e gjata dhe me pikat e karburantit të kufizuara. Një shoqatë automobilash thotë se rreth 60 për qind të pikave të karburantit në Nju Xhersi dhe 70 për qind në zonën Long Island në Nju Jork janë të mbyllura.

Mbi 90 vetë kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara nga stuhia Sandy.