Santorum fitues në tre shtete

  • Zëri Amerikës
    Uashington

Santorum fitues në tre shtete

Fushata e Rick Santorum për kandidaturën presidenciale të partisë republikane mori një hov të madh me fitoret në zgjedhjet paraprake në Minnesota, Missouri dhe Colorado.

Ish senatori nga Pennsylvania fitoi zgjedhjet paraprake në Minesota me 45 përqind të votave. Ligjvënësi Ron Paul zuri vendin e dytë me 27 përqind dhe ish guvernatori i Massachusetts Mitt Romney, që konsiderohet kryesuesi i garës zuri vendin e tretë me 17 përqind.

Në zgjedhjet paraprake në Mizuri, me të gjitha votat e numëruara, Santorum fitoi 55 përqind të votave, ndërsa Romney doli i dyti me 25 përqind dhe Paul i treti me 12 përqind. Në fjalimin e fitores dje në Missouri Santorum deklaroi se konservatorizmi është gjallë dhe në gjendje të mirë në Missouri dhe Minnesota.

"Sonte ishte një fitore e zërave të partisë sonë... konservatorëve dhe lëvizjes Tea Party që përbëjnë bazën e partisë republikane dhe formojnë një zë për lirinë e këtij vendi".

Ai deklaroi se është alternativën e vërtetë konservatore si ndaj Mit Romneyt, ashtu edhe ndaj presidentit demokrat Barack Obama. Zoti Santorum e akuzoi zotin Obama për arrogancë dhe se nuk e dëgjoi popullin amerikan, që e kundërshtoi ndihmën ndaj sektorit financiar dhe reformën e kujdesit shëndetësor.

Santorum arriti një fitore të hidhur për Mit Romneyn në Kolorado, duke fituar më shumë se 40 përqind të votave, ku Romney fitoi 35 për qind dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich doli në vendin e tretë, me 13 përqind të votave.

Në vitin 2008 Mit Romney doli fitues në Colorado, me një diferencë të madhe në garën republikane. Fitorja e trefishtë e Rick Santorumit ishte një goditje për statusin e Mit Romneyt, si favoriti për të fituar kandidaturën republikane. Ky i fundit e përgëzoi për fitoren Rik Santorumin gjatë një mitingu në Denver, para se të njoftoheshin rezultatet në Kolorado, por i tha turmës se ai ende pret të marrë emërimin e partisë Republikane për garën presidenciale.

"Ne po e çojmë mesazhin tonë të lirisë dhe begatisë në çdo cep të vendit. Dhe kur ky sezon të përfundojë ne do të qëndrojmë të bashkuar si një parti pas kandidatit tonë për të mposhtur Barack Obamën dhe për të rindërtuar vlerat e Amerikës që e bëjnë atë vendin më të shtrenjtë në historinë e planetit tonë".

Kolorado ka 70 delegatë. Për t’u zgjedhur dhe përballur me zotin Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëtorit, kandidati republikan ka nevojë për mbështetjen e 1 mijë e 144 delegatëve në konventën republikane që do të zhvillohet në Florida në gusht.