Schiff: Dokumenti sekret për Rusinë është ndryshuar

Demokrati më i lartë në Komisionin për Çështjet e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve tha se republikanët e këtij komisioni i bënë ndryshime një dokumenti sekret para se ta dërgonin atë në Shtëpinë e Bardhë, në vend që të dërgonin versionin që u kishin treguar ligjvënësve. Dokumenti kritikon FBI-në për qëndrime të njëanshme kundër Presidentit Donald Trump dhe mund të ketë pasoja për çështjen e hetimeve rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane. Republikanët, të cilët kanë shumicën në komision i kanë dhënë dritën e gjelbër publikimit të dokumentit.

Shtëpia e Bardhë mund të vendosë qysh sot për ta bërë publik dokumentin, i cili thuhet se flet për njëanshmëri në Departamentin e Drejtësisë kundër Presidentit Donald Trump.

Të martën mbrëma Presidenti Trump u shpreh se donte që dokumenti të bëhej publik.

Ndërkohë, demokrati më i lartë në Komisionin për Çështjet e Zbulimit Adam Schiff shkruante në një letër drejtuar kryetarit republikan të komisionit, Devin Nunes, se demokratët kishin zbuluar diçka të mërkurën mbrëma: se dokumentit i ishin bërë ndryshime që anëtarët e komisionit nuk kishin mundur t’i shqyrtonin ose t’i miratonin dhe se gjendja ishte "thellësisht shqetësuese".

Zoti Schiff shkruante se: "Edhe pse ndryshimet e bëra nuk korrigjojnë shtrembërimet dhe pasaktësitë e thella në dokumentin tuaj, ato megjithatë janë thelbësore".

Meqenëse dokumenti mbetet sekret, është e paqartë se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

Një zëdhënës i zotit Nunes u përgjigj me një deklaratë, duke thënë se versioni i dërguar në Shtëpinë e Bardhë përmbante vetëm "redaktime të vogla" dhe se demokratët po përpiqeshin të zhvendosnin vemendjen nga "abuzimet për të cilat flitet në dokument".

Të mërkurën, Byroja Federale e Hetimeve tha se ishte "thellësisht e shqetësuar" në lidhje me saktësinë e dokumentit dhe se i ishte dhënë pak mundësi për ta analizuar dokumentin prej katër faqesh përpara se komisioni të votonte që ai të bëhej publik.

Pasojat e publikimit të dokumentit mund të jenë të rënda. Çdo akuzë për veprime të njëanshme nga Byroja Federale e Hetimit mund t'i japë presidentit arsye të kërkojë largimin e zyrtarëve të lartë të FBI-së dhe të Drejtësisë dhe ndoshta edhe të prokurorit të posaçëm që heton rreth zotit Trump si dhe rreth një bashkëpunimi të fshehtë të fushatës së tij me Rusinë.