SEEMO: Jo proceseve gjyqësore kundër gazetarëve në Shqipëri

  • Zëri Amerikës

SEEMO, organizata me qendër në Vjenë për mediat në Evropën Juglindore, shprehu shqetësim lidhur me ngritjen sërish të akuzave penale ndaj gazetarëve në Shqipëri, megjithë ndryshimet që i janë bërë ligjit për shpifjen.

Në janar 2012, thuhet në një deklaratë të kësaj organizate, Kryeministri Sali Berisha, tha se administrata e tij nuk do të ngrejë akuza për shpifje dhe më 17 shkurt e 1 mars të këtij viti parlamenti votoi për reformën e kodit civil dhe penal. Mirëpo, në muajin shkurt, thotë organizata, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Këshillin e Ministrave, Gjovalin Prenga, paraqiti akuza penale për shpifje në Gjykatën e Rrethit të Tiranës kundër gazetares së “Shekullit”, Lindita Çela, duke kërkuar dënimin e saj me dy vjet burg.

Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë e ka mbështetur zonjën Çela dhe e ka dënuar kërkesën e autoriteteve për proces gjyqësor kundër saj si një sulm kundër gazetarëve që botojnë lajme kritike të bazuara në dokumente dhe fakte.

Në deklaratën e saj, SEEMO u bën thirrje autoriteteve shqiptare të mbajnë premtimet dhe të zbatojnë ligjet që kanë miratuar, pasi shtimi i procesve të tilla gjyqësore çon në vetëcensurë dhe nuk i kontribuon shtypit të lirë dhe demokracisë.