Uragani Sandy dhe ndryshimet klimatike

Uragani Sandy ishte stuhia e fundit e rëndë që goditi pjesën verilindore të Shtetevë të Bashkuara, duke ndërprerë komunikimin, energjinë dhe transportin dhe duke shkaktuar miliarda dollarë dëme. Sandy ka ndezur përsëri debatin nëse ndryshimet klimatike ndikojnë tek ndryshimet e prirjeve të motit. Një shkencëtar thotë se ndryshimet po vihen re në të gjithë botën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Joe De Capua njofton.

Elwyn Grainger-Jones e quan këtë një pyetje pa përgjigje: a janë ndryshimet klimatike përgjegjëse për stuhitë që po bëhen më të mëdha e më të fuqishme?

“Shkencëtarët janë të qartë në shpjegimin që ofron shekenca e fizikës, se nëse bota po ngrohet, atëhere ka mundësi të madhe që ndërsa detet ngrohen, intensiteti i stuhive të rritet. Ne mund të kemi të njëjtin numër të stuhive si në të kaluarën. Por ato do të jenë më të fuqishme. Pikërisht kjo është parë gjatë 40 viteve të fundit - që numri i stuhive tropikale, i uraganeve, ka mbetur pothuajse i njëjtë, por ato janë bërë shumë më të fuqishme”.

Grainger-Jones është drejtor i Departamentit të Mjedisit dhe Klimës në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë.

“Në se do të bëja një krahasim, mund të shpreheasha se është njësoj sikur dikujt t’i thuhet se shtëpia do të të digjet, dhe ai të pyesë se në se ka nevojë të blejë sigurim për shtëpinë. Mendoj se kjo është ajo që po na thonë stuhitë. Është si një tregues i asaj se si do të sjellë e ardhmja.”

Modelet e ndryshimeve klimatike parashikojnë rritjen e temperaturave globale me 2 deri në 6 gradë Celsius gjatë këtij shekulli. Kjo mund të mos tingëllojë si shumë, por shkencëtarët thonë se është një ndryshim i madh.

“Kur të ndodhë atëhere do të kuptohet se sa i madh është ndryshimi. Ka patur mjaft hulumtime sesi kjo ngritje temperature ndikon tek njerëzit. Për fermerët e vegjël e të varfër, ndryshimi do të jetë shkatërrimtar. Ata janë të parët që do t’i ndjejnë ndryshimeve klimatike. Çfarë do të ndodhë në qoftë se ata nuk kanë ujë të mjaftueshëm, ose në qoftë se temperaturat rriten në atë shkallë sa farat e tyre të dëmtohen?”

Ai thotë se temperaturat më të ngrohta do të ndikojnë gjithashtu tek vendet e pasura përmes çmimeve më të larta të ushqimit, stuhive më intensive dhe rritjes së nivelit të detit në qytetet bregdetare.

Grainger-Jones thotë se shumica e modeleve klimatike parashikojnë rritje të temperaturave, por vetëm disa prej tyre parashkojnë ndryshime më drastike. Ai thotë se ka patur tashmë një rritje prej një grade Celsius që nga kohët para-industriale, që disa thonë se ka ndikuar në ndryshimet e sotme klimatike.

“Ne po shohim se rritja e nivelit të deteve ka ndikuar shumë tek komunitetet me të cilat ne punojmë përshembull në Senegal apo në deltën e lumit Mekong në Vietnam, pasi shumë njerëz të varfër jetojnë në toka ngjitur me detin”.

Ndërsa shumë shkencëtarë thonë se njerëzit po kontribuojnë në ndryshimet klimatike përmes emetimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë, një grup më i vogël thotë se ndryshimet klimatike janë pjesë e cikleve natyrale të Tokës.

“Ka gjithmonë një cikël natyral në ndryshimet e motit. Por shpejtësia dhe intensiteti i mënyrës sesi këto ndryshime po ndikojnë dhe do të ndikojnë në të ardhmen është përtej kapaciteteve që kanë shumë komunitete të botës sot për t’u përshtatur me to”.

Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë po ndihmon fermerët e vegjël të zbatojnë teknika më miqësore ndaj mjedisit në kuadër të ndryshimeve klimatike. Megjithatë zoti Grainger-Jones thotë se do të duhen marrëveshje globale për të zgjidhur problemet që lindin prej ndryshimeve klimatike. Sipas shkencëtarit Grainger-Jones këto ndryshime ndikojnë më shumë sesa ambjentin, duke goditur ekonominë dhe shëndetin.