SHBA, 14 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit

Rreth 3 mijë veta humbën jetën në New York, Washington dhe Shanksville në sulmet terroriste të vitit 2001

Shtetet e Bashkuara po shënojnë 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit me një seri aktivitetesh për të kujtuar tmerrin e asaj dite.

Presidenti Barack Obama së bashku me Zonjën e Parë dhe personelin mbajtë një minutë heshtje në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në orën 8:46 paradite, kur avioni i pare i rrëmbyer goditi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregëtisë në Nju Jork.

Në Nju Jork, familjet e viktimave u mblodhën për tingujt e këmbanave dhe leximin e emrave të të vrarëve në sulmet terroriste. Momente heshtje u mbajtën në orën 8:46 dhe 9:03, kur avioni i dytë goditi kullën jugore të Qendrës Botërore.

Në Pentagon, sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter dhe zyrtarë të tjerë u bashkuan në ceremonitë përkujtimore për të afërmit e viktimave dhe punonjësve të Pentagonit. Një nga katër avionët e rrëmbyer më 11 shtator të vitit 2001, u rrëzua në Pentagon, duke vrarë 184 persona. Më parë, një flamur i madh amerikan u shpalos në anën e Pentagonit, që u godit nga avioni.

Gjithashtu, u mbajt një minutë heshtje në orën 10:03 të mëngjesit, kur një prej avionëve u rrëzua në një fushë në Shanksville në Pensilvaninë perëndimore, para se të arrinte objektivin e tij të mundshëm në Uashington, duke vrarë 44 persona në bord.

Në Afganistan, zyrtarët e NATO-s dhe ushtarët shënuan përvjetorin me një ceremoni të shkurtër në selinë e komandës në Kabul.

Që pas sulmit të kryer 14 vjet më parë, Muzeu 11 shtatori është ngritur në vendin ku ishte Qendra Botërore e Tregtisë, në të cilin ndodhen artefaktet dhe fotografitë që lidhën me sulmin.

Në Pentagon, të 184 personat e vrarë me 11 shtator do të nderohen me 184 karrige të vendosura mbi pishinë.

Në një deklaratë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry nderoi ata që u vranë në sulmet e 11 shtatorit, si dhe katër personat që vdiqën në sulmin terrorist ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë më 11 shtator, 2012. Një prej tyre ishte ambasadori amerikan, Christopher Stevens.