Kosovë, lirohet njëri prej dy serbëve të arrestuar

Një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh serbit tjetër

Një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, liroi nga arresti njërin nga dy serbët e arrestuar të hënën në veriun e Kosovës, ndërsa tjetrit i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Të dy ata po hetohen nën dyshimet për tentim vrasje dhe përdorim të paligjshëm të armëve në lidhje me një incident të dhjetorit të vitit 2012.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se gjykata konsideron që ka dyshime, por që nuk arrijnë nivelin e dyshimit të bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të tentim vrasjes së rëndë për çka dyshohen, duke marrë parasysh se hetimi është në faze të hershme.

Gjykata konsideron se ekziston rreziku që njëri nga të arrestuarit, Zharko Veselinoviç, mund të ndikojë në prova dhe për këtë arsye i është caktuar masa e paraburgimit.

Sipas njoftimeve dyshimet kanë të bëjnë me sulmin ndaj zëvendësshefit të Zyrës administrative të Kosovës në veriun e Mitrovicës, Dushan Milosavljevic i cili ishte plagosur në dhjetor të vitit të kaluar.

Arrestimet e së hënës nxitën reagimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në zonë, të cilët po vazhdojnë të mbajnë të bllokuar një nga rrugët kryesore në zonë.