Serbia liron policët e Kosovës të arrestuar të shtunën

Autoritetet serbe liruan sot dy pjesëtarët e policisë së Kosovës, të arrestuar të shtunën në zonën kufitare ndërmjet dy vendeve. Policët e arrestuar i janë dorëzuar misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Të shtunën, më 31 mars, autoritetet serbe thanë se kanë arrestuar dy pjesëtarë të policisë së Kosovës, Shukri Binakun dhe Sami Beqirin, në brendi të territorit të Serbisë. Sipas zyrtarëve serbë, ata kishin armë dhe pajisje që paraqesin shkelje të “shkelje të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”, duke ju referuar marrëveshjes së 9 qershorit të atij viti të nënshtruar ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe NATO-s, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë.

Ndërkaq, në Prishtinë, Ministria e Punëve të Brendshme akuzoi autoritetet serbe për rrëmbimin e dy pjesëtarëve të policisë të cilët po patrullonin në vijën kufitare, e cila edhe 13 vjet pas luftës mbetet e pashënuar.

Incidenti u dënua në shkallë të gjerë në Kosovë. Institucionet dhe partitë politike thanë se ky është sulm mbi integritetin institucional e tokësorë të Kosovës dhe në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë.

Një pjesë e partive politike kritikuan edhe qeverinë e Kosovës për përfshirje në bisedime me Serbinë, e cila siç thuhet, nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj edhe territoriale ndaj Kosovës.