Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe drejtorja e misionit të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Zeinah Salahi, nënshkruan të mërkurën një donacion prej 3.8 milionë dollarësh për Kosovën, në kuadër të marrëveshjes për fondin për objektivat zhvillimore ndërmjet të dyja vendeve.
Marrëveshja fillestare e këtij granti që u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar, i siguroi Kosovës mbështetje prej 33 milionë dollarësh, ndërsa në muajin maj të këtij viti kjo marrëveshje ishte mbështetur edhe me 1.6 milionë dollarë të tjerë. Vlera e përgjithshme e këtij granti është mbi 38.4 milionë dollarë.
Në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës thuhet se me këtë marrëveshje “synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”.
Po ashtu në njoftim thuhet se objektivi i parë zhvillimor i marrëveshjes përqëndrohet në mbikqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti përfshin një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike.
“Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Që nga viti 1999, USAID-i ka investuar, në emër të popullit amerikan, më shumë se 950 milionë dollarë në rrugëtimin e Kosovës drejt zhvillimit të qëndrueshëm.