SHBA: Bashkëpunëtorët e Giulianit përballë prokurorëve

Një biznesmen ukraino-amerikan që ka lidhje me avokatin personal të Presidentit Donald Trump nuk mund të mbështetet tek privilegji ekzekutiv për të mbrojtur provat nga prokurorët, të cilët e akuzojnë se u ka kaluar para në mënyrë të paligjshme disa kandidatëve politikë në SHBA, thanë ekspertët ligjorë.

Të mërkurën, Lev Parnas deklaroi se ishte i pafajshëm përpara një gjykate federale në Manhatan.

Ai akuzohet se ka përdorur një kompani guackë për t’i dhuruar para një komiteti zgjedhor pro-Trump dhe se ka mbledhur para në mënyrë të paligjshme për një ish-kongresmen, si pjesë e përpjekjeve që presidenti të shkarkonte ambasadoren e SHBA në Ukrainë.

Rudy Giuliani, avokati personal i zotit Trump, ka thënë se Parnas dhe i pandehuri tjetër Igor Fruman ndihmuan përpjekjet e tij për të hetuar rivalin politik demokrat të presidentit Trump, ish nënpresidentin Joe Biden, dhe djalin e tij Hunter Biden për punën e tyre në Ukrainë.

Çështja është në qendër të një hetimi që kanë ndërmarrë demokratët me synimin për të shkarkuar Presidentin Trump. Presidenti republikan e ka quajtur hetimin përpjekje për të hedhur baltë mbi të.

Zoti Giuliani gjithashtu ka përfaqësuar si avokat biznesmenët Parnas dhe Fruman si personalisht ashtu edhe në çështje të biznesit.