SHBA: Dënimet për narkotikët

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder njoftoI një seri reformash që do të zbusin dënimet e ashpra kundër shkelësve jo të dhunshëm të drogës.

Zoti Holder foli sot për ndryshime në dënimet automatike që parashikojnë ligjet e anti-drogës të viteve 1980.

Këto ligje imponojnë 5 vjet burg për shkelësit për herë të parë të ligjit me sasi 100 gram heroinë, 500 gram kokainë ose 100 kilogram marihuanë. Sasitë më të mëdha e çojnë dënimin e detyrueshëm në 10 vjet.

Prokurori i Përgjithshëm thotë se shkelësit do të dënohen tani me dënime që u përshtaten më mirë veprimeve të tyre individuale dhe jo atyre të rrjeteve për të cilat veprojnë. Ai tha se sistemi i tanishëm i fut shumë amerikanë në ciklin e varfërisë dhe të burgimit.

Në burgjet federale amerikane ka më shumë se 219 mijë të dënuar, nga të cilët 47 përqind për vepra penale që lidhen me drogën.