Çorientim pas vonesave në mbërritjen e njësisë luftarake në Gadishullin Korean

  • Brian Padden

Analistët thonë se mesazhet çorientuese dhe në disa raste mashtruese lidhur me një njësi luftarake amerikane që ka marrë urdhër për të lundruar drejt Gadishullit Korean minojnë kredibilitetin e retorikës kërcënuese të Shteteve të Bashkuara për përdorim force ndaj Koresë së Veriut.

Shtëpia e Bardhë dhe Komanda e Ushtrisë Amerikane në Paqësor nuk ishin krejt të saktë në njoftimin e tyre në fillim të këtij muaji se një njësi luftarake që përfshinte aeroplanmbajtësen USS Carl Vinson po udhëtonte drejt Detit të Japonisë në përgjigje të provokimeve të Koresë së Veriut.

Vonesa në Dislokim

Njësia luftarake e marinës ushtarake është ende në ujërat jugore të Oqeanit Indian, ku po zhvillon manovra me forcat australiane. Komanda e Paqësorit tha të martën se njësia luftarake do të niset tani drejt Paqësorit në përputhje me urdhërat.

Njoftimet e mëparshme se kjo njësi po udhëtonte drejt Gadishullit Korean shkaktuan shqetësime se Presidenti Trump mund të ndërmerrte një goditje ushtaake ndaj Koresë së Veriut si paralajmërim për të mos kryer provën bërthamore që Pheniani pritej të realizonte më 15 prill, kur festohet ditëlindja e themeluesit të shtetit komunist, Kim Il Sung. Shpesh kjo ditëlindje shoqërohet me akte ushtarake provokative.

Presidenti Donald Trump tha më 12 prill: “Po dërgojmë një armatë. Shumë të fuqishme”.

Korea e Veriut nuk kreu provë bërthamore atë fundjavë, por zhvilloi një paradë ushtarake masive dhe kreu një provë me raketë, që përfundoi në dështim.

Këto retorika çorientuese nga administrata Trump mund të diskreditojnë disi mesazhin që do të përcjellë administrata.

“Nëse i kërcënon dhe kërcënimi nuk është i besueshëm, kjo s’bën tjetër veçse minon politikat kundrejt Phenianit,” thotë eksperti për Korenë e Veriut Joel Wit i grupit të analizave “38 North”, një organizëm studimor në Departamentin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins.

Paralajmërime të Forta nga Nënpresidenti Pence

Nënpresidenti Mike Pence nuk foli për vonesat e mbërritjes së njësisë luftarake kur iu drejtua të mërkurën forcave ushtarake amerikane në aeroplanmbajtësen USS Ronald Reagan, e cila është në remont në Yokosuna të Japonisë.

Nënpresidenti përcolli paralajmërime të forta për Phenianin, të cilat i kishte bërë më parë edhe në Seul dhe Tokio, duke iu drejtuar Koresë së Veriut me mesazhin që të mos e vinte në provë vendosmërinë amerikane. Ai përmendi vendimin e Presidentit Trump për të goditur me raketa ekstremistët në Irak dhe Afganistan dhe tha se SHBA janë plotësisht të përgatitura të përdorin forcën ushtarake nëse është e nevojshme.

“Ata që sfidojnë vendosmërinë apo gatishmërinë tonë duhet ta dinë se ne do të mundim çdo sulm dhe do të përballojmë çdo sfidë dhe do të përdorim armë konvencionale apo bërthamore me një përgjigje të fuqishme dhe efektive të Amerikës,” tha nënpresidenti.

Politika e Re ndaj Koresë së Veriut

Politika amerikane ndaj Phenianit, siç del nga fjalët e nënpresidentit, është përdorimi i forcës ushtarake për të shtuar presionin ndaj Koresë së Veriut që të çaktivizojë programin bërthamor dhe arsenalin raketor; SHBA po ashtu i ka kërkuar Kinës të veprojë më fuqishëm për ta detyruar aleatin e saj, që varet ekonomikisht tek mbështetja e Pekinit, që të kapitullojë, ose përndryshe të kërcënohet nga kolapsi total.

Që të funksionojë kjo politikë, kërcënimi për përdorim force duhet të jetë i besueshëm, thotë analisti Bong Young-shik i Institutit Yonsei për Studime mbi Korenë e Veriut në Seul.

“Pa kërcënime për masa ushtarake në Gadishullin Korean, nuk do të arrish ta bindësh Korenë e Veriut të ndalë ambicjet bërthamore,” thotë analisti.

Megjithatë, Daniel Pinkston, një analist i zhvillimeve në Azinë Verilindore, thotë se politikat që shoqërohen me presion ushtarak dëmtohen nga mesazhet kundërthënëse lidhur me përdorimin e forcës ushtarake, por gjithashtu hasin në rezistencë nga aleatë të rendësishëm si Japonia dhe Korea e Jugut.

“Këto vende nuk do të mbështesin veprime ushtarake që kanë një rezultat ë paqartë përfundimtar, pasi nuk dihet si do të kundërpërgjigjet Pheniani,” thotë Pinkston.

Pavarësisht nga provokimet duke bërë prova bërthamore dhe me raketa, qeveria e Kim Jong Unit nuk ka sulmuar ndonjë vend tjetër. Nëse administrata Trump ndërmerr një goditje paralajmëruese, thotë analisti Pinkston, ka gjasa që të ketë pasoja shumë të dëmshme: mund të plasë lufta në rajon, mund të ndërpriten aleancat rajonale dhe SHBA mund të mbesë pa mbështetje në Këshillin e Sigurimit.

Megjithë retorikën e ashpër, zyrtarë të administratës Trump kanë përcjellë edhe mesazhe ku janë përpjekur ta largojnë vëmendjen nga kërcënimi për përdorim force ushtarake. Këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare H.R. McMaster tha të dielën “Ka ardhur koha që ne të ndërmarrim të gjitha veprimet e mundshme pa arritur tek masat ushtarake, në përpjekje për ta zgjidhur në formë paqësore situatën”.