SHBA: Akuza ndaj një shtetasi ukrainas

Një shtetas ukrainas u akuzua në Shtetet e Bashkuara për përfshirje në një rrjet të gjerë për vjedhje informacionesh të kartave të kreditit, për pastrim parash dhe trafik drogash, si dhe krime të tjera kibernetike.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se shtetasi Sergei Litvinenko nuk e pranoi fajësinë para gjykatësit kur iu lexuan akuzat. Ai u ekstradua nga Kroacia të premten.
Akuzat u ngritën pas një hetimi të Agjencisë së Imigracionit të quajtur “Operacioni Tregu i Hapur”. Hetimi filloi në mars të vitit 2007 dhe kishte si objektiv një organizatë të quajtuir “Carder.su”, e cila ka një faqe interneti ku anëtarët mund të blejnë të dhënat e vjedhura të identitetit të të tjerëve.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare Litvinenko është mes 39 të akuzuarve për veprimtaritë kriminale të kësaj organizate në janar të vitit 2012.