ShBA: Ushtria urdhëron nisjen e gjyqit ushtarak të të dyshuarve si militantë të al-Kaidës

  • Zëri Amerikës

Ushtria amerikane dha urdhër zyrtarisht për gjyqin ushtarak të pesë personave të dyshuar si militantë të al-Kaidës, të cilët besohet se planifikuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara që lanë rreth 3000 të vrarë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se të pandehurit do të dalin në gjyq brenda 30 ditësh. Gjyqi do të zhvillohet në bazën amerikane të marinës në Gjirin Guantanamo të Kubës.

Zyrtarët e Pentagonit thanë përmes një deklarate se personi që ka thënë se organizoi sulmet e 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed, dhe katër bashkëpunëtorë të tij janë akuzuar për terrorizëm, rrëmbim avionësh, komplotim, vrasje dhe akte të tjera. Ata mund të dënohen me vdekje, nëse gjenden fajtorë.