Shkencëtari bërthamor iranian drejt kthimit në atdhe, thotë Irani

  • Zëri Amerikës

Shkencëtari bërthamor iranian drejt kthimit në atdhe, thotë Irani

Zyrtarët iranianë thonë se shkencëtari bërthamor i cili u zhduk para më shumë se një viti dhe u shfaq në mënyrë misterioze në Uashington është duke u kthyer në Iran.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme, i cituar nga agjencia e lajmeve ISNA, tha sot se Shahram Amiri po kthehet në atdhe përmes një vendi të tretë. Irani pretendon se Amiri u rrëmbye nga Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar.

Dje, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se shkencëtari ndodhej në Shtetet e Bashkuara me dëshirën e tij dhe ishte i lirë të largohej.

Amiri, shkencëtar bërthamor në të tridhjetat, u largua nga Irani në qershor 2009. Irani thotë se Amiri iu dorëzua agjentëve të zbulimit amerikan kur ndodhej për vizitë në Arabinë Saudite. Shtetet e Bashkuara mohojnë ta kenë rrëmbyer shkencëtarin.

Amiri u shfaq të hënën pasdite në ambasadën pakistaneze në Uashington, në zyrën që merret me çështjet e Iranit në këtë ambasadë.