Përmbytjet në jug, debate në parlament

  • Armand Mero
Shqipëri, situata e krijuar nga moti i keq ishte sot në qendër të polemikave që vazhduan për orë të tëra mes shumicës dhe opozitës

Në Shqipëri parlamenti u përfshi sot nga debatet lidhur me situatën e krijuar në jug të vendit nga përmbytjet e ditëve të fundit. Opozita akuzoi qeverinë se nuk shpall gjendjen e emergjencës që të shmangë sipas saj detyrimin për të dëmshpërblyer banorët e dëmtuar. Por zëvendëskyrministri Niko Peleshi tha se një vendim i tillë do të bllokonte aktivitetet në të gjithë qarqet ku ndodheshin zonat e prekura, ndërsa deklaroi se të gjithë do të dëmshpërblehen pas vlerësimit të dëmeve.

Your browser doesn’t support HTML5

Permbytjet ne jug

Situata sot në jugun e vendit ishte më e qetë falë përmirësimit të kushteve të motit, ndërsa gjurmët e dëmeve të shkaktuara mbeten ende aty, pas disa ditësh përmbytjesh të mëdha. Por vala e ngjarjeve që përfshinë qindra familje e biznese, u përplas sot në Tiranë në sallën e parlamentit që në hyrje të seancës. Kryeari i grupit demokrat Edi Paloka kërkoi që kryeministri Edi Rama të raportonte para deputetëve. “Të vijë këtu në parlament, të japi llogari dhe të informojë. Eshtë detyra e tij kryesore. Cfarë masash mori që më parë, meqënëse vetë deklaruan se e dinin që situate do të ndodhte. Cfarë masash mori përvec asaj se paskan njoftuar disa fshatarë se do përmbyten. Cfarë masash mori më pas.Sa hektarë tokë janë sot të përmbytura? Sa familje janë të përmbytura? Ku janë strehuar? Cfarë masash janë marrë për t’i ndihmuar? Të gjitha këto duhet të vijë kryeministri të na i thotë këtu”, tha zoti Paloka.

Mbi situatën dhe masat foli zëvendëskryeministri Niko Peleshi: “Janë rreth 17 mijë hektarë tokë ku përfshihet tokë bujqësore dhe zona të banuara nën ujë. Rreth 5 mijë hektarë tokë ku përfshihen vetëm shtëpi dhe zona të banuara dhe ku janë përqëndruar operacionet e ndihmës. Janë mbi 500 familje të evakuuara nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve. Prej ditës së hënë ka nisur shpërndarja e pakove ushqimore për banorët në vështirësi. Deri tani janë shpërndarë më shumë se 2500 pako ushqimore për familjet në zonat e përmbytura. Një operacion që ende vazhdon. Në veprimet konkrete ne terren për përbalimin e situatës së vështirë dhe dhënien e ndihmës janë përfshirë rreth 2200 forca dhe qindra mjete”.

Opozita kërkoi llogari se përse nuk shpallet zyrtarisht gjendja e emergjencës, duke akuzuar qeverinë “se nuk do t’ju paguajë paratë e dëmeve. Sepse me ligj, nëse vendos gjendjen e emergjencës duhet të paguajë 100 përqind të dëmeve. Kurse duke mos e vendosur nuk ju paguan as 50 përqind. Ai nuk do të japë asnjë kacidhe. Por ky është realiteti”.

Por sipas zëvendëskryeministrit Peleshi “spekulimi lidhur me statusin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, është një spekulim i cili nuk ka kurrfarë kuptimi për qytetarin. Sepse qytetarit nuk i intereson statusi në letër, por cfarë bën qeveria në terren. Ka dhe një argumentim teknik. Mosshpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është bërë për një arsye të vetme, për të mos paralizuar jetën dhe veprimtarinë në të gjithë qarkun për shkak të një zone të përmbytur pavarësisht se situate atje ka qenë dramatike”.

Debatet mbi këtë cështje kanë vazhduar për orë të tëra, me akuza dhe mbi atë se cfarë kishte bërë apo nuk kishte bërë në të kaluarën edhe e djathta në situate të ngjashme, edhe më të rënda në Veriun e Shqipërisë.

Në zonat e prekura nga përmbytjet sot ishte sërish kryeministri Edi Rama, por edhe presidenti Bujar Nishani për të parë nga afër situatën, masat e marra dhe ndërhyrjet e nevojshme.