Shqipëri, lëkundje të forta tërmeti

Epiqendra në Belsh me një magnitudë 5.2 ballë të shkallës Rihter. Dëme u njoftuan vetëm në disa banesa, ku ka patur plasaritje muresh.
Në Shqipëri disa goditje të njëpasnjëshme tërmeti i rregjistruan gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Lëkundja e parë e fortë ndodhi rreth orës 3 të mengjesit. Sipas shërbimit sizmiologjik, epiqendra ka qenë në Belsh të Elbasanit, afër 44 kilometra larg Tiranës. Edhe në kryeqytet, goditjet u ndjenë të forta.

Tërmeti ka patur një magnitudë prej 5.2 ballë të shkallës Rihter. Në 2-3 orët që pasuan u rregjistruan edhe 7 lëkundje të tjera, më të lehta. Goditjet u ndjenë në shumë qytete të vendit, por ato patën një intensitet më të lartë në Shqipërinë e mesme, ku janë identifikuar edhe dëmet më të mëdha, kryesisht në banesa. Në Gransh bëhet fjalë për afër 20 banesa muret e së cilave kanë pësuar të krisura. Në Cërrik, mësohet se disa dhjetra apartamente janë dëmtuar gjithashtu. E po kështu edhe në Lushnje. Dëmet më të mëdha janë vënë re në ndërtesa të vjetra e të pa mirëmbajtura.