Shtohen refugjatët sirianë në Turqi

  • Henri Rixhuell

Turqi ka patur një rritje të madhe të numrit të refugjatëve që vijnë nga Siria, ndërsa intensifikohen sulmet e qeverisë siriane në lagje të provincës Idbil. Autoritetet turke po ndërtojnë dy kampe të reja dhe thonë se janë duke u përgatitur për ardhjen e një numri më të madh refugjatësh, në se Siria shket në një luftë të plotë civile. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henri Rixhwell njofton nga kampet e refugjatëve në kufirin mes të dy vendeve:

Makinat e plehrave dhe rulat shkaktojnë një mjegull pluhuri, ndërsa punëtorët hedhin një shtresë me zhavor në vendin ku më parë ka qenë një fabrikë duhani.
Mes uturimës së makinave ecin familjet e refugjatëve sirianë, të parët që kanë mbërritur këtu. Ky është kampi i refugjatëve Islahije i Turqisë, disa km larg kufirit, një nga dy qendrat e mëdha të refugjatëve që po ndërton qeveria turke. Në të do strehohen një numër përherë e më i madh sirianësh, të cilët largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar dhunës që po ushtrohet ndaj protestuesve kundër qeverisë.

Qendra tjetër e refugjatëve do të ketë kabina ku mund të jetohet për një afat më të gjatë dhe jo thjeshtë tenda. Ky kamp është pranë pikëkalimit kufitar Oncupinar, disa metra larg Sirisë dhe atje do të strehohen shumica e rreth 17 mijë refugjatëve që ndodhen tashmë në Turqi.
Tani ata janë shpërndarë në qendra të ndryshme, si kampi Altinozu, ku Zëri i Amerikës foli me një refugjate, e cila nuk pranoi ta thoshte emrin.

“Unë jam nga Jisr Al Shughour, thotë ajo. Ushtarët vrasin njerëz kur sulmojnë shëpitë tona dhe ata përdhunojnë grate. Kur mbetesh jashtë, në rrugë, çdo gjë mund të të ndodhë", thotë ajo.

Një tjetër kamp në fshatin pranë, Apaydin, mbahet tepër sekret nga autoritetet turke, sepse atje janë strehuar disa gjeneralë, të cilët kanë dezertuar nga ushtria e Presidentit sirian Bashar al-Assad. Në qytetin kufitar Yayladagi, Zëri i Amerikës foli me disa luftëtarë nga Ushtria e Sirisë së Lirë e opozitës.

Ata thane se forcat e Assadit po kryejnë sulme mizore në qytetet në provincën veriore të Idlibit. Disa video në internet, të cilat është e pamundur të verifikohen, duket se i përforcojnë thëniet e tyre.

“Situata është e tmerrshme atje, e tmerrshme, forcat e Asadit kryejnë sulme”, thotë një burrë. “Ata sulmojnë Idbilin, duke përdorur një arsenal të tërë armësh kundër popullsisë.” Ai vazhdon “Ata nuk vrasin vetëm ushtarë të Ushtrisë Siria e Lirë, ata vrasin gra, fëmijë, pleq. Nuk pyesin fare që janë duke vrarë civilë.”

Shumë nga refugjatët mund të jenë tepër të vegjël për të kuptuar dhunën që po ndodh, por ata thërrasin me forcë parrulla kundër Asadit. Ata po ҫojnë në kampe më të mëdha, 4 orë larg, pra akoma më larg shtëpive të tyre.

Qeveria turke thotë se nuk ka shumë zgjedhje - kampet janë plot dhe çdo ditë atje mbërrijnë qindra refugjatë të tjerë.