Shtohet trysnia diplomatike ndërkombëtare ndaj Sirisë

  • Zëri Amerikës

Shtohet trysnia diplomatike ndërkombëtare ndaj Sirisë

Trysnia diplomatike ndërkombëtare po shtohet ndaj Sirisë mes njoftimeve se tanke dhe trupa të tjera ushtarake po përpiqen të ndalin protestat anti-qeveritare. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së takohen sot për të diskutuar një deklaratë të përbashkët ku dënojnë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Siri.

Shtetet e Bashkuara kanë prova për mbështetjen iraniane ndaj operacioneve të qeverisë siriane kundër demonstruesve paqësorë, tha ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs.

“Dhuna e tmershme e ushtruar për të shtypur protestat duhet të marrë fund menjëherë,” u tha zonja Rajs gazetarëve pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun dha një raport të shkurtër me dyer të mbyllura Këshillit të Sigurimit mbi Sirinë dhe zona të tjera problematike.

Siria ka ndaluar thuajse të gjithë shtypin e huaj dhe ka kufizuar qasjen në zona të tjera ku po ndodhin trazira që kur filloi kryengritja, duke e bërë thuajse të pamundur verifikimin e ngjarjeve dramatike që po trondisin një prej vendeve më anti-perëndimore në botën arabe.

Ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar Asad tha se Këshilli i Sigurimit nuk duhet të mbështetet tek njoftimet e shtypit.

Katër vende evropiane, Franca, Britania, Gjermania dhe Portugalia kanë qarkulluar një projekt deklaratë për shtyp në Këshillin e Sigurimit e cila do të dënonte rëndë dhunën kundër demonstruesve paqësorë.

Dje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, e dënoi gjithashtu dhunën e ushtruar në protesta e sidomos përdorimin e tankeve dhe armëve të zjarrit që vranë dhe plagosën qindra njerëz.