Ban Ki-moon, thirrje për ndalimin e dhunës në Siri

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon po i vazhdon thirrjet që forcat siriane t’i japin fund luftimeve, me qëllim që të përfundojë konflikti thuajse 19-mujor. Sot zoti Ban i kërkoi qeverisë së presidentit sirian al-Assad të vendosë një ndalim të njëanshëm të luftimeve dhe theksoi nevojën që vendet e tjera të ndërpresin dërgimin e armëve për forcat siriane dhe ato të opozitës. Zoti Ban foli në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin francez François Hollande, i cili tha se ndalimi i luftimeve do të ishte fillimi i zgjidhjes për krizën siriane. Ai shtoi se Franca do të forcojë sanksionet, deri në momentin kur zoti Assad të largohet nga pushteti dhe t’i hapë rrugën tranzicionit politik.