Dhjetra të rinj shqiptarë protestojnë në Shkup

  • Isak Ramadani

Macedonia protest

Protesta kaloi pa ndonjë incident serioz
Thirrjet për protesta të reja në Shkup sot nuk patën ndonjë mbështetje nga shqiptarët e atjeshëm, për shkak të shfaqjes së dhunës në protestat e javës së kaluar.

Vetëm disa dhjetra të rinj shqiptarë arritën të tubohen sot në një lagje shqiptare për t’u nisur drejt ndërtesës së qeverisë, por ata u penguan nga policia maqedonase. Protesta kaloi pa ndonjë incident serioz. Ndërkohë, vazhdojnë shqetësimet lidhur me gjendjen e krijuar në Maqedoni ku raportet ndëretnike janë të brishta prej vitesh.
Bashkësia fetare islame u ka bërë thirrje të qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve, të cilat kanë për bazë skenarë të errët politikë, sipas Bashkësisë Islame, e cila po ashtu kërkon që të mos keqpërdoren objektet fetare si pikënisje e protestave.
Shqiptarët e rinj protestojnë kundër rrahjes brutale të fëmijëve shqiptarë nga grupe maqedonasish në rrugët e Shkupit dhe jashta shkollave, ndërkohë që maqedonasit e rinj organizohen në protesta kundër emërimit të Talat Xhaferit për ministër të Mbrojtjes, për shkak të historisë së tij si një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë konfiktit të vitit 2001.