Një modele që debuton në sfilata me shami në kokë

Modelja somalezo-amerikane Iman, ishte njëra prej më të kërkuarave në fushën e modës në vitet 1970 dhe 1980. Tani, një tjetër modele somalezo-amerikane është bërë e njohur si gruaja e parë me shami në kokë, hixhab, që debuton në sfilatat e modës në Nju Jork dhe Itali.

Mes vajzave modele në konkurimin e vitit të kaluar për titullin Miss Minnesota USA, Halima Aden konkuroi e veshur me shami në kokë dhe me burkini.

"Unë e mbaj shaminë në kokë çdo ditë. Prandja, kur provoj diçka të re, e marr edhe atë me vete," - thotë Halima.

Adoleshentja somalezo-amerikane nuk e fitoi titullin Miss Minnesota, por ajo fitoi një kontratë me një agjenci të njohur mode, duke u bërë modelja e parë me shami në kokë që merr kontratë tillë.

Bota e modës është shumë larg kampit të refugjatëve në Kakuma të Kenias, ku lindi Aden. Para se familja e saj të largohej për në Shtetet e Bashkuara, ajo luante me moshatarë me prejardhje të ndryshme:

"Në Kakuma kishte refugjatë nga e gjithë Afrika. Por ne gjetëm shumë gjëra të përbashkëta. Ne fëmijët luanim. Festonim për shembull festat e njëri tjetrit, si Krishtlindja edhe Bajrami. Në kampin e Kakumës nuk ka shumë mundësira," - tregon Halima.

Ajo thotë se në Shtetet e Bashkuara nuk ndodh gjithnjë kështu.

Por hixhabi po bëhet përherë e më i njohur në modën amerikane.

Firma "Nike" vitin e ardhshëm do të prezantojë një shami koke prej rrjete… ndërsa "American Eagle Outfitters" krijoi një shami koke prej xhinsi që e prezantoi Aden. Ky hixhab me pajme rinore u shit brenda më pak se një jave në internet.

Aden ishte në kopertinën e revistës "Vogue" të muajit qershor...dhe në korrik ajo zbukuroi kopertinën e revistës së bukurisë "Allure".

"Ajo është me të vërtetë si çdo adoleshente normale amerikane. Misioni ynë është të ripërcaktojmë standartet e bukurisë; ajo na përfaqëson ne si amerikanë, një vend me diversitet,"- thotë kryeredaktorja e revistës "Allure".

Ndërsa Aden i gëzohet suksesit që ka arritur, ajo i është mirënjohëse përpjekjeve të OKB-së në Kakuma. Ajo shpreson të kthehet një ditë në kamp për të punuar me fëmijët refugjatë, për t'u treguar atyre se edhe ata kanë mundësi të bëhen yje botërore…