Një anije me imigrantë ankorohet në Spanjë

Një anije që transportonte kryesisht emigrantë afrikanë u ankorua në Spanjë të premten në mëngjes, pasi disa vende evropiane refuzuan ta pranojnë, përfshirë Maltën dhe Italinë.

Imigrantët u shpëtuan nga anija “Open Arms”, e cila i përket një shoqate bamirëse spanjolle, pranë brigjeve të Libisë më 21 dhjetor.

Ndaj 310 imigrantëve u kryen ekzaminime mjekësore nga organizata “Kryqi i Kuq”.

Përpara se të mbërrinin në Spanjë, autoritetet italiane të ishullit të Lampedusës pranuan vetëm një fëmijë të sëmurë që ndodhej në mesin e imigrantëve. Të shtunën, një nënë dhe fëmija i saj i porsalindur, u morën me helikopter nga autoritetet malteze.