Sulm vetëvrasës me bombë në Pakistan

Zyrtarët pakistanezë thonë se të paktën 15 persona u vranë në një sulm vetëvrasës me bombë në një rajon fisnor në veriperëndim të Pakistanit.

Autoritetet thonë se shpërthimi me sa duket pati si objektiv milicinë pro-qeveritare të krijuar për të luftuar militantët talebanë.

Rreth 30 persona të tjerë u plagosën në këtë sulm, pranë provinces Khyber Pakhtunkhwa pranë Afganistanit.

Ndërkohë, Fëmijë në Pakistan dhe Afganistan u mblodhën sot për t’u lutur për shërimin e 14-vjeçares Malala Yousafzai, e cila është qëlluar në kokë nga Talebanët.

Militantët talebanë në Pakistan e qëlluan 14-vjeçaren pakistaneze në kokë dhe në qafë të martën, kur po dilte nga shkolla.

Adoleshentja ka marrë emër në shkallë ndërkombëtare për përpjekjet e saj në mbështetje të arsimit për vajza dhe për dokumentimin e mizorive të talebanëve në rajonin ku jeton në Luginën Swat.

Kryeministri pakistanez Raja Pervaiz Ashraf e cilësoi sulmin si një krim kundër njerëzimit dhe si goditje ndaj vlerave themelore morale dhe sociale të Pakistanit.

Policia pakistaneze arrestoi dje një numër të dyshuarish, kryesisht në Luginën Swat.