Vazhdojnë hetimet mbi sulmin e 3 qershorit në Londër

Policia në Londër thotë se tre personat që shtypën këmbësorë me furgonin që po ngisnin në Urën e Londrës ishin përpjekur fillimisht të merrnin me qera një kamion 7.5 tonësh, por sistemi i pagesave kishte refuzuar kartën e tyre të kreditit. Kamioni do të kishte shkaktuar dëme shumë më të mëdha në njerëz.

Kreu i komandës së anti-terrorizmit në policinë britanike tha se hetuesit gjetën trembëdhjetë shishe vere në furgon, që mendohet se ishin mbushur me lëndë djegëse. Policia beson se autorët e sulmit kishin në plan të zhvillonin sulme të mëtejshme duke përdorur shishe benzine.

Policia po kërkon ndihmë nga publiku për të zbuluar nga janë marrë thikat e pazakonta prej qeramike në ngjyrë rozë që u përdorën për të goditur civilë në tregun Borough Market. Tetë vetë gjetën vdekjen në sulmin e 3 qershorit dhe afro 50 të tjerë u lënduan. Autorët e sulmit u vranë nga policia.