Sulmohen ambasadat italiane dhe britanike në Tripoli të Libisë

  • Zëri Amerikës

Sulmohen ambasadat italiane dhe britanike në Tripoli të Libisë

Ambasada italiane dhe ajo britanike në kryeqytetin libian, Tripoli, janë sulmuar në incidente që besohet se u ndërmorrën në hakmarrje ndaj goditjes së NATO-s, që thuhet se la të vrarë një nga djemtë e Moamar Gadafit dhe 3 nga nipat e tij. Trazirat bënë që Kombet e Bashkuara të tërheqin personelin e tyre ndërkombëtar nga Tripoli.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hejg dënoi dje sulmet ndaj ambasadave, që e lanë ndërtesën e ambasadës britanike të djegur rëndë. Zoti Hejg tha se sulmet ndaj misioneve diplomatike përbënin shkelje të Konventës së Vjenës dhe tha se qeveria e tij po dëbon ambasadorin libian nga Britania.

Italia konfirmoi se ambasada e saj ishte ndër disa misione diplomatike të sulmuara nga vandalët në Tripoli. Ajo akuzoi qeverinë e zotit Gadafi se nuk kishte marrë masa për të mbrojtur misionet e huaja.

Pjesa më e madhe e vendeve perëndimore mbyllën ambasadat e tyre në Tripoli dhe evakuuan personelin, para fillimit të goditjeve të NATO-s.