Shtëpia e Bardhë do të diskutojë për armatimin e rebelëve Sirianë

Zyrtarët amerikanë thanë se administrata Obama mund të vendosë këtë javë nëse do të armatosë rebelët e opozitës siriane, për shkak të shqetësimeve se forcat pro-qeveritare të mbështetura nga Irani dhe milicia Hezbollah e Libanit mund të fitojnë epërsi në këtë konflikt.

Me forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad që duket se po përgatiten për një sulm në qytetin strategjik të Homsit, një seri takimesh në Shtëpinë e Bardhë mbi Sirinë janë planifikuar për këtë javë.

Sekretari i Shtetit John Kerry shtyu një udhëtim sot të planifikuar për në Izrael dhe tre vende të tjera të Lindjes së Mesme për të marrë pjesë në diskutime.