Reuters: Azerbajxhani duket se ka zgjedhur TAP-in

TAP

Projekti rival Nabucco West shpalli se nuk ishte përzgjedhur. Berisha: Përzgjedhja e TAP-it, fitore për Shqipërinë
Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Reuter, Azerbajxhani duket se ka zgjedhur projektin e Gazjellësit Trans Adriatik, TAP, për shpërndarjen e gazit të tij në Evropë, pasi projekti rival Nabucco West shpalli se nuk ishte përzgjedhur.

Firmat që përfaqësojnë projektin TAP nuk kanë bërë komente.

Kompania austriake e energjisë, OMV, që kryeson projektin Nabucco West tha në një deklaratë se projekti i saj nuk kishte fituar. Kompania tha se ka në plan të kërkojë rrugë alternativë për të siguruar furnizime të tjera me gaz për Evropën.

Në Shqipëri, Kryeministri Sali Berisha, koalicioni i të cilit humbi ndjeshëm në zgjedhje, e quajti përzgjedhjen e TAP-it fitore për Shqipërinë. Në një koment sot në Facebook, zoti Berisha shkruan: "Projekti i gazsjellësit TAP u përzgjodh. Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit për ne!"

Vendimi i konsorciumit të Shah Denizit të kryesuar nga kompania BP pritej me interesim të madh dhe është pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të pakësuar varësinë nga importet ruse të gazit.

Projekti Shah Deniz II në Detin Kaspik është një nga fushat më të mkëdha gazmbajtëse të botës.