Të paktën 21 të vrarë gjatë protestave në Siri

  • Zëri Amerikës

Të paktën 21 të vrarë gjatë protestave në Siri

Të paktën 21 vetë u vranë në Siri sot ndërkohë që forcat e sigurisë hapën zjarr kundër demonstruesve që protestonin kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Asad.

Njoftimet e shtypit citojnë dëshmitarët dhe aktivistët që thonë se forcat e sigurisë hapën zjarr kundër protestuesve në qytetin Homs, duke vrarë të të paktën gjashtë persona, përfshirë një fëmijë. Vrasje të tjera u njoftuan në qytetin verior të Maret al-Numan, në fshatin jugor Sanamein dhe lagjen periferike Daraja të Damaskut.

Krisma paralajmëruese ndaj demonstruesve u dëgjuan edhe në portin mesdhetar të Banias.

Ndërkohë, protestuesit morën rrugët edhe në qytete të tjera. Agjencia franceze e lajmeve AFP citoi kreun e grupit për të drejtat e kurdëve të ketë thënë se disa mbanin degë ulliri ndërsa bënin thirrje për më shumë liri.

Dëshmitë nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur meqenëse Siria i ka ndaluar gazetarët e huaj të hyjnë në vend.

Aktivistët e të drejtave në Siri thonë se më shumë se 850 civilë janë vrarë që nga mesi i marsit, kur protestuesit filluan të bëjnë thirrje për reforma demokratike dhe dorëheqjen e zotit Asad. Autoritetet kanë arrestuar të paktën shtatë mijë veta përmes operacioneve të qeverisë për shtypjen e protestave.