Irani ka hedhur poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të kthyer një avion të telekomanduar që Teherani thotë se e qëlloi dhe e rrëzoi këtë muaj pranë kufirit me Afganistanin.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme iraniane thotë se avioni është tani pronë e Iranit. Administrata Obama i bëri një kërkesë zyrtare Iranit për ta kthyer avionin e rrëzuar, por Ministria e Jashtme iraniane u përgjigj sot se Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë falje.
Irani është ankuar në Kombet e Bashkuara për incidentin me avionin pa pilot dhe sot përsëriti qëndrimin e Teheranit se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur ligjin ndërkombëtar. Dje, në një konferencë shtypi, presidenti Obama nuk pranoi të komentonte për incidentin, që ai e cilësoi “çështje sekrete të zbulimit”.