Tetovë, një nënë e katër fëmijë të vdekur pas djegies së banesës

Një grua me katër fëmijët e saj kanë humbur jetën pasi shtëpia e tyre në Tetovë ishte përfshirë nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes. Prokuroria publike në Tetovë ka hetuar shkaqet së bashku me ekipet e policisë dhe të zjarrfikësve të qytetit, por ende nuk ka një version zyrtar se si kishte rënë zjarri. Prokurori në detyrë i ka bërë thirrje një ekipi të mjekëve ligjorë nga Shkupi dhe ekipeve të kompanisë së energjisë elektrike EVN për të ndihmuar në vërtetimin e rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.

Trupat e pajetë të pesë viktimave të familjes Zylbehari janë dërguar në qendrën klinike të Shkupit për t’iu bërë autopsinë. Bëhet e ditur se mosha e fëmijëve ishte nga 6 deri 14 vjeç, ndërsa nëna e tyre Fatimja 39 vjeçe. Babai i fëmijëve thuhet të kishte qenë në punë, në turnin e natës si roje në një firmë.

Ngjarja e ndodhur në Çarshinë e epërme të Tetovës ka shqtesuar banorët e atjeshëm. Dyshimet ndërlidhen me sobën e ngrohjes ose ndonjë instalim të dëmtuar apo të ngarkuar elektrik. Burime nga organet e hetuesisë kanë lënë të kuptohet se viktimat nuk ishin tërësisht të karbonizuara çka mundëson idetifikimin e tyre.

Ekipet e zjarrfikësve thonë se kishin arritur me kohë pranë vendit të ngjarjes, por se e kishin pasur të vështirë qasjen deri tek shtëpia për shkak të rrugicave të ngushta dhe dendësisë së lagjes.

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës që kishte dalur në vendin e ngjarjes, u tha mjeteve të informimit se priste konstatimet nga organet përkatëse nëse ka pasur ose jo lëshime eventuale që mund të kishin sjellur tek kjo situatë.