Basti 7 milionë dollarësh për finalen e Superbollit

Një shitës i mobiljeve në Shtetet e Bashkuara u premtoi klientëve të tij mobilje falas nëse ekipi Seahawks nga Seattle fiton ndeshjen finale të futbollit Amerikan, Super Bowl, dhe tani ka humbur 7 milionë dollarë.

Biznesmeni nga Teksasi vuri bastin që e humbi në dy dyqanet e tij të shitjes së mobiljeve dy javë para ndeshjes finale të futbollit amerikan.

Jim McIngvale, u premtoi klientëve se do t’u kthente paratë në qoftë se ata shpenzojnë më shumë se gjashtë mijë dollarë në dyqanet e tij përpara lojës së madhe, dhe në qoftë se Seahawks fiton ndaj ekipit Broncos të qytetit të Denverit. Seahawks fitoi me rezultat të thellë 43-8, në një nga finalet më të njëanshme në historinë e superbollit.

Zoti McIngvale tha se rreth një mijë njerëz morën pjesë në këtë bast. Biznesmeni i tha gazetës lokale Houston Chronicle se basti nuk është humbje totale. Ai tha se ka gëzuar shumë klientë dhe është duke ndërtuar një bazë të fortë klientësh.