Topi, Berisha përfshihen në shkëmbim replikash

  • Armand Mero

Topi, Berisha përfshihen në shkëmbim replikash

Dy drejtuesit më të lartë të Shqipërisë, presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha u përfshinë në një shkëmbim replikash me njëri tjetrin.

Fillimisht ishte kryeministri Sali Berisha, i cili në përgjigje të pyetjes së një gazetari mbi mundësinë që posti i kreut të shtetit t’i lihet opozitës vitin e ardhshëm, foli për një flirt të hapur, sipas tij, mes presidentit Topi dhe kryetarit socialist Edi Rama.

Zoti Berisha tha se presidenti kishte votuar më 8 maj për zotin Rama dhe kjo dëshmon, sipas tij, se kreu i shtetit i ka dhënë atij shpirtin e vet politik.

Zoti Berisha la të nënkuptohet se, sipas tij, kryetari socialist dhe presidenti Topi kanë bashkëpunuar kundër shumicës së djathtë në zgjedhjet për pushtetin vendor.

Kreu i shtetit është gjendur disa herë nën akuza dhe sulme të hapura të shumicës. Ai reagoi duke u shprehur se “çdo përpjekje apo aludim që tenton ta pozicionojë atë politikisht është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme”.

Kreu i shtetit i quajti sulmet e përsëritura ndaj tij si “të padenja dhe denigruese”. Në deklaratën e tij, presidenti Topi shprehet se ai ka refuzuar të bëhet pjesë asaj që e konsideron një lojë politike dhe se “ka nxitur aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qyetarët".

"Por - vazhdon deklarata - ndërsa të gjithë presin reflektim politik, individë e institucione që kanë për detyrë të zbatojnë kushtetutën i lejojnë vetes të krijojnë situata të paqëna, të shpikin vota e kundërshtarë politikë e të krijojnë tension artificial mes qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit”.